Këtë jave, Njësitet Policore Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Prizren kanë identifikuar disa automjete të modifikuara, të pajisura me zhurmues që shkaktonin tejkalim të nivelit të lejuar të zhurmës.
Referuar njoftimit të Policisë së Kosovës, automjetet fillimisht janë dërguar për kontroll teknik të jashtëzakonshëm. Pas verifikimeve, për ato automjete ku u konstatua se zhurma tejkalonte kufijtë ligjorë, pronarëve u është kërkuar të largojnë ndryshimet e palejuara nga mjetet e tyre.
“Ndaj tyre janë shqiptuar gjoba për përdorimin e zhurmuesit të paautorizuar në vlerë prej 150 euro, si dhe për prishje të rendit dhe qetësisë publike në shumë prej 500 euro,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Përveç shkeljeve të lidhura me zhurmën, policia ka shqiptuar edhe gjoba për tejkalim të shpejtësisë, ku në disa raste gjobat kanë arritur deri në 500 euro.