Është rritur bilanci i viktimave nga aksidenti tragjik që ndodhi të mërkurë, 3 shtator, në Lisbonë. Sipas shërbimeve të emergjencës së Portugalisë, numri i viktimave ka shkuar në 17-të. Fillimisht autoritetet kishin raportuar për 15 të vdekur dhe 23 të plagosur.
Ngjarja ndodhi dje në një nga zonat më të frekuentuara turistike të kryeqytetit, ku një teleferik, i cila mendohet se ishte në kapacitet të plotë dhe me pasagjerë të huaj, doli nga kontrolli dhe u përplas.
Ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht të gjitha identitetet e viktimave, por sindikata e punonjësve të transportit “SITRA” ka njoftuar se ndër të vdekurit është edhe operatori i frenave, André Jorge Gonçalves Marques. Ndërkohë, sipas mediave lokale, mes të plagosurve është dhe një fëmijë i mitur.
Për shkak të kësaj tragjedie të rëndë, qeveria portugeze e shpalli këtë të enjte, 4 shtator, ditë zie kombëtare, në nderim të jetëve të humbura. Flamujt në institucionet shtetërore janë ulur në gjysmë shtize, ndërsa ngjarja ka tronditur thellë opinionin publik vendas dhe atë ndërkombëtar.