Një aksident fatal ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Astrazub të Malishevës, ku dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të lënduar rëndë.
Gazeta Sinjali mëson se shoferi i një Audi A8A, i identifikuar si M. Himaj, 57 vjeçar duke mos ia përshtatur shpejtësinë kushteve të rrugës, ka humbur kontrollin në një kthesë dhe ka kaluar në shiritin e kundërt.
Për pasojë, Audi është përplasur ballazi me një veturë VW Polo, të cilën e drejtonte viktima Masar Krasniqi.
Nga goditja e fuqishme, kanë mbetur të vdekur në vend shoferi i Polo-s dhe pasagjerja Mizaqete Shala.
Ndërkohë, i dyshuari M. Himaj dhe një pasagjere tjetër, L. P. kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar për trajtim në QKUK – Prishtinë.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori kujdestar i Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupat e viktimave të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.