Dayot Upamecano ka vendosur të largohet nga Bayern.
Sipas gazetës “Marca”, ai po joshet nga ideja për t’u transferuar te Real Madrid, klub që e kërkon prej disa muajsh dhe ka shprehur interes të qartë.
Francezi ka informuar agjentët për vendimin e tij dhe Bayern po përpiqet t’i ndryshojë mendjen, por deri tani nuk ia ka arritur.
Kontrata e mbrojtësit në Mynih skadon qershorin e ardhshëm.
Pra, nëse largohet, do të ndodhë me parametra zero. E pafalshme për Bayern, sepse kështu humbi edhe David Alabën vite më parë, pa përfituar asgjë si “kompensim”.
Upamecano aktualisht paguhet rreth 10 mln euro bruto në vit. Jonathan Tah, i sapotransferuar (me parametra zero) nga Bayer Leverkusen, paguhet 2 mln euro më shumë.
Me siguri, kjo nuk i ka pëlqyer francezit. Bayern i ka ofruar rritje page, por deri tani nuk ka rezultuar shifra e duhur. Upamecano thuhet se kërkon 17 mln euro bruto në vit. Ndoshta në Madrid ia ofrojnë.