Manchester United është vënë në kërkim të një portieri të ri dhe sipas raportimeve të fundit nga mediat britanike, Emiliano “Dibu” Martinez është objektivi kryesor i klubit anglez për merkaton e dimrit.
Portieri argjentinas, kampion bote me kombëtaren e tij në Katar 2022, ka kontratë me Aston Villa-n deri në qershor të vitit 2029, por kjo nuk ka penguar drejtuesit e “Djajve të Kuq” të studiojnë mundësinë e një transferimi të mundshëm.
Sipas zërave të fundit, trajneri i ri i Manchester United, Ruben Amorim, e vlerëson shumë 32-vjeçarin dhe e dëshiron menjëherë në skuadër, për të forcuar repartin e portës, i cili ka qenë një nga pikat e dobëta të ekipit në këtë fillim sezoni.
Martinez, i njohur për karizmën dhe personalitetin e tij në fushë, shihet si profili ideal për të sjellë stabilitet dhe përvojë në prapavijën e United-it.
Megjithatë, Aston Villa nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë një nga lojtarët e saj më të rëndësishëm, ndaj negociatat pritet të jenë të vështira.