Rey Manaj, është heroi që e mposhti Serbinë më 11 tetor në “Duboçica” të Leskovcit.
Goli i tij ishte vendimtari, që kombëtarja “Kuq e Zi” të arrijë triumfin historik.
Tashmë fanella e Manajt, u kthye në objekt të çmuar të koleksionit.
Sipas ankandit ndërkombëtar MatchWornShirt, me të cilin bashkëpunon Federata Shqiptare e Futbollit, ajo u shit për 3 mijë e 98 euro.
Oferta më e madhe erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I vendosur për ta pasur këtë fanellë historike, blerësi rriti çmimin për thuajse 11 herë nga 378 euro në mbi 3 mijë.
Fanella mban firmën e Manajt dhe mbetet një simbol i veçantë, pasi ai ishte autori i golit që vulosi fitoren historike të Shqipërisë ndaj Serbisë, një moment që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve kuqezi.
Kjo është fanella e dytë më e shtrenjtë e Kombëtares shqiptare në ankand.
Rekordin e mban ajo e Nedim Bajramit, e veshur në përballjen ndaj Italisë në Euro 2024, kur ai shënoi golin më të shpejtë në historinë e Kampionateve Europiane, pas vetëm 23 sekondash.
Ajo fanellë u ble për 5 mijë e 792 euro.