Rritet numri i punëkërkuesve/Gërxhaliu: Mungesa e stabilitetit politik po e ngulfat ekonominë

- Gazeta e Prizrenit

Rritet numri i punëkërkuesve/Gërxhaliu: Mungesa e stabilitetit politik po e ngulfat ekonominë

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, aktualisht në vend janë të regjistruar 69 mijë e 751 punëkërkues.

Ky numër vlerësohet si shqetësues nga ekspertët e ekonomisë, të cilët theksojnë se krizat politike dhe mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional po ndikojnë drejtpërdrejt në tregun e punës.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Indeksonline, ka deklaruar se mungesa e stabilitetit politik në Kosovë po kushton shumë, sidomos në aspektin ekonomik dhe social.

“Kosova nuk është goditur vetëm nga sanksionet e BE-së apo ngrirja e partneritetit me SHBA-në, por edhe nga mungesa e një dialogu të mirëfillt me sektorin privat. Kjo gjendje është një ngulfatje direkte për bizneset dhe po gjeneron efekte negative, me më pak hapësira për punësim dhe rritje të qarkullimit,” ka thënë Gërxhaliu.

Ai shtoi se rritja e numrit të personave që kërkojnë punë është dëshmi e qartë e pasojave të ndërhyrjes së politikës në ekonomi. “Është koha që të fuqizohet sektori privat, sepse vetëm ai mund të gjenerojë vende të reja pune. Nuk mund të vazhdojmë që administrata publike të mbushet me militantë dhe njerëz të pa përgatitur profesionalisht,” theksoi ai.

Sipas tij, Kosova duhet të avancojë Këshillin Ekonomik Social dhe të krijojë një dialog të qëndrueshëm jo vetëm me bizneset, por edhe me qytetarët, në mënyrë që punësimi në sektorin privat të shihet si mundësi e sigurt për të ardhmen.

“Sot, sektori privat kërkon punëtorë, por njëkohësisht po rritet papunësia. Kjo është paradoksale dhe tregon mungesë motivimi e përkrahjeje institucionale.

Duhet të motivojmë të rinjtë që të orientohen drejt sektorit privat, sepse aty është zhvillimi real i ekonomisë,” ka theksuar Gërxhaliu. Ai paralajmëroi se orientimi i tepërt i të rinjve drejt administratës publike po e dëmton ekonominë, pasi krijon varësi nga shteti dhe dobëson konkurrueshmërinë e tregut.

“Në Evropë, barrën më të madhe sot e mbajnë politikat sociale. Edhe Kosova duhet ta kuptojë se pa një sektor privat të fuqishëm nuk mund të ketë as zhvillim ekonomik, as mirëqenie shoqërore,” tha ai. /Indeksonline/



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit