Vjedhje e rëndë në Prizren, hajni hyn në shtëpinë e çiftit dhe largohet me stoli ari, para e çanta luksoze me vlerë mbi 20 mijë euro

- Gazeta e Prizrenit

Vjedhje e rëndë në Prizren, hajni hyn në shtëpinë e çiftit dhe largohet me stoli ari, para e çanta luksoze me vlerë mbi 20 mijë euro

Një rast i rëndë vjedhjeje është raportuar në Prizren, ku një person i panjohur ka hyrë në shtëpinë e një çifti dhe ka vjedhur stoli ari, para të gatshme dhe çanta firmato, me një dëm të vlerësuar mbi 20 mijë euro.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 31 tetor 2025, rreth orës 23:50, në rrugën “William Walker”, ndërsa rasti është raportuar në Polici më 3 nëntor 2025, rreth orës 18:30.

Sipas burimeve të Sinjalit, ankuesit V.K dhe Y. Sh. kanë deklaruar se nga pamjet e kamerave të sigurisë, shihet një person mashkull i panjohur duke hyrë në banesë dhe duke vjedhur stoli ari në vlerë rreth 15,000 euro, para të gatshme 3,000 euro dhe shtatë deri tetë çanta dore të firmave të njohura, me vlerë rreth 3,000 euro.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe forenzika, të cilët kanë siguruar provat materiale dhe kanë njoftuar Prokurorin e Shtetit, ndërsa rasti është dërguar në hetuesi për identifikimin e autorit të vjedhjes.

Hetimet po vazhdojnë në drejtim të identifikimit të personit të dyshuar dhe lokalizimit të sendeve të vjedhura.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit