Dogana gjen në një veturë 100 paketime ‘botox’ e ‘fillerë’, vlera gati 10 mijë euro

- Gazeta e Prizrenit

Dogana gjen në një veturë 100 paketime ‘botox’ e ‘fillerë’, vlera gati 10 mijë euro

Dogana e Kosovës ka njoftuar se në magjistralen Prishtinë–Ferizaj është ndaluar një automjet që po transportonte rreth 100 paketime të produkteve botox dhe filler, pa origjinë dhe pa dokumentacion përcjellës, me vlerë prej afro 10 mijë eurosh.

Sipas Doganës, hetimet e para tregojnë se këto produkte janë futur në Kosovë përmes rrugëve ilegale.

“Njësitë operative të Doganës së Kosovës, gjatë një aksioni në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, kanë arritur të identifikojnë dhe ndalojnë një veturë të dyshimtë që përdorej për shpërndarjen e paligjshme të mallrave të kontrabanduara. Gjatë kontrollit të automjetit, oficerët doganorë kanë gjetur rreth 100 paketime të produkteve Botox dhe Filler, pa origjinë dhe pa dokumentacion përcjellës, me vlerë të përgjithshme prej 9,479.49 euro. Hetimet e para tregojnë se këto produkte janë futur në Kosovë përmes rrugëve ilegale, duke shmangur kontrollin doganor dhe pa respektuar kushtet e ruajtjes që kërkohen për produktet e këtij lloji”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Tutje, institucioni ka paralajmëruar se për shkak të natyrës së ndjeshme të këtyre produkteve, përdorimi i tyre përbën rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve.

“Për shkak të natyrës së ndjeshme të këtyre produkteve, përdorimi i tyre paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasi ato nuk janë testuar, nuk kanë certifikim ligjor dhe janë ruajtur në kushte të papërshtatshme”, thuhet në njoftim.

Deri në përfundimin e hetimeve, Dogana ka konfiskuar produktet dhe ka nisur procedurat e mëtejshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë rast.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit