Serie A këtë sezon ofron emocione dhe renditje të ngushtë, por niveli i lojës ka rënë ndjeshëm. Mbrojtjet me pesë, presioni trup më trup dhe frika për të humbur kanë shndërruar kampionatin në një duel taktik më shumë se sa spektakolar.
Pas 13 javësh kampionat, 7 ekipet e para në Serie A kanë një diferencë prej vetëm 5 pikësh, dy surpriza si Bologna dhe Como në garë për kreun, dhe asnjë “pronar” i vërtetë.
Serie A po dhuron emocione dhe suspancë, por shumë pak futboll të bukur. Në aspektin e rezultateve, gara është e jashtëzakonshme. Në aspektin e lojës, panorama është e zymtë.
RAMOS KËRKON MILANIN/ Klubi nuk jep asnjë sinjal pozitiv, nuk përputhet me projektin
Kush kalon nga një ndeshje si Chelsea–Arsenal tek Roma–Napoli, ndien menjëherë diferencën në intensitet, ritëm dhe ide. E njëjta gjë ndodhi edhe me derbin e shumëpritur të Milanos javën e kaluar: shumë pritshmëri, pak spektakël.
Futbolli italian historikisht nuk është bazuar te intensiteti dhe ofensiva, por sot niveli ka rënë më shumë se kurrë. Loja ndërpritet vazhdimisht, lojtarët thellojnë çdo kontakt, arbitrat e ulin ritmin, ndërsa frika për të mos humbur shpesh errëson dëshirën për të fituar.
Në këtë realitet, skuadrat po luajnë pothuajse vetëm në dy mënyra: presion trump më trup në gjithë fushën (si Roma–Napoli) ose mbrojtje e ulët me vijë të ngjeshur, duke lënë vetëm krosimin si opsion (si Milani).
Formacionet me tre mbrojtës që kthehen në pesë në fazë mbrojtëse e bëjnë lojën të parashikueshme. Kur përballen dy skema identike, hapësirat zhduken dhe fantazia mbytet.
Vitin e kaluar ekzistonte një përjashtim: Interi i Inzaghit, i cili me rotacione të vazhdueshme destabilizonte mbrojtjet kundërshtare.
Sot edhe zikaltrit janë futur në logjikën e agresivitetit dhe vertikalizimit. Paradoksalisht, ide më të freskëta ka sjellë Milani i Allegrit, që po eksperimenton me lëvizje të reja në fazën e nisjes së aksioneve: Modric që zbret te mbrojtja, Tomori dhe Pavlovic që kthehen në “lateralë”, dhe lëvizje të sinkronizuara që thyejnë markimin e kundërshtarit.
Por skuadra që thyen çdo skemë tradicionale është Como i Fabregasit, vetëm katër pikë larg kreut. Me lojë teknike, mbështetur te kreativiteti i Nico Paz dhe lëvizjet e vazhdueshme të repartit, Como po sjell në Serie A një futboll më ndërkombëtar: kombinime të shpejta, përdorim inteligjent të hapësirave, dhe fantazi që në Itali rrallë shihet.
Ndoshta aty, në këtë eksperiment modern, ndodhet edhe shpresa që Serie A të rikthehet një ditë spektakolare.