Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e vendndodhjes së një personi të dyshuar për përfshirje në vepra penale që lidhen me narkotikët.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Pejë, më 9 shtator 2025, në koordinim dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, janë duke zhvilluar hetime ndaj personit të dyshuar për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.
Pas publikimit të fotografive dhe falë bashkëpunimit të qytetarëve, Policia ka arritur ta identifikojë personin e dyshuar si Hajder Mukaj.
Megjithatë, vendndodhja e tij ende nuk është bërë e ditur, andaj Policia ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët që posedojnë informata të cilat mund të ndihmojnë në lokalizimin e tij.