Prizren: Spitali Rajonal pajis Njësinë e Dializës me 45 karrige moderne

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Spitali Rajonal pajis Njësinë e Dializës me 45 karrige moderne

Spitali Rajonal “Prof. Dr. Daut Mustafa” – Njësia e Dializës në Prizren është furnizuar me 45 karrige moderne për dializë, në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të kushteve dhe rritjes së standardit të shërbimeve për pacientët.

Drejtori i spitalit, Osman Hajdari, njoftoi se karriget e reja janë të dizajnuara për të ofruar komoditet, siguri dhe funksionalitet më të lartë gjatë trajtimit të pacientëve që i nënshtrohen dializës.

 
Sipas tij, ky investim synon ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, përmirësimin e përvojës së pacientëve, si dhe krijimin e kushteve më të mira të punës për stafin mjekësor dhe infermieror.

“Po vazhdojmë me investime konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e pacientëve dhe në përmirësimin e shërbimit shëndetësor publik,” ka deklaruar Hajdari.

Ai ka shprehur gjithashtu falënderim të veçantë për stafin e Njësisë së Dializës, duke vlerësuar përkushtimin, profesionalizmin dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj pacientëve, si dhe nivelin e lartë të humanizmit dhe përgjegjësisë që ata dëshmojnë çdo ditë.

Spitali Rajonal i Prizrenit ka paralajmëruar se investimet në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit