Pas ditëve festive për ndërrimin e viteve, Prizreni po lë prapa atmosferën e kremtes dhe të pushimit, dhe po i kthehet ritmit të zakonshëm të punës, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Pjesa më e madhe e prizrenasve netët e ndërrimit të vitit i kaluan në mjediset familjare. Një numër i vogël, kryesisht ata me gjendje më të mirë ekonomike, natën e dytë e tretë të Vitit të Ri e pritën nëpër lokale hoteliere, që për dallim nga vitet e mëparshme, kësaj radhe më pak organizuan mbrëmje muzikore.
Sivjet, vetëm pak qytetarë, kryesisht ata më të rinjtë, çastin e ndërrimit të viteve e priten në qendrën “shatërvan”.
Kjo është dita e parë e javës, që ka ardhur pas katër ditëve të pushimit, ku institucionet qendrore dhe ato lokale sot rifillojnë punën.
Nëpër qytet, ndërkaq, në orët e paradites vërehen lëvizje më të shtuara, për dallim nga ditët tjera.
Shkollat nisin procesin të enjten, pas një pushimi dyjavor!
Qytetarët kanë uruar që viti 2026 të jetë më i mirë se viti që shkoi. Ata shpresojnë që në këtë vit të ketë më shumë mirëqenie në familjet e tyre.
Gazeta e Prizrenit uron të realizohen synimet e lexuesve: Suksese në vitin 2026!
/GazetaePrizrenit.net/