LDK’së i rikthehet një mandat, PDK e humb

- Gazeta e Prizrenit

LDK’së i rikthehet një mandat, PDK e humb

Përditësimi i fundit i të dhënave në uebfaqen zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve ka sjellë ndryshim në përbërjen e Kuvendit: Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës mbetet jashtë Kuvendit, ndërsa Fadil Hadergjonaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës futet brenda. Me këtë përditësim, LDK-ja i merr një deputet PDK-së.

Ndërkohë, në Qendra e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i pjesës së dytë të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Në vijim të procesit do të përfshihen fletëvotimet e tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë Kosovës.

Më 2 janar, nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë janë tërhequr 8,180 pako me fletëvotime. Ndërsa më 5 janar, nga 13 kuti postare në Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako të tjera, pjesa më e madhe e të cilave janë sjellë në Kosovë.

Po ashtu, fletëvotimet e numëruara më herët në QNR (3–5 janar 2026), që i takonin votimit përmes postës, ishin pjesë e mbi 28 mijë pakove të tërhequra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para Vitit të Ri.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit