Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që i gjithë vendi të shkojë në rinumërim, ashtu siç raportoi mbrëmë ekskluzivisht Klan Kosova, pas dallavereve që u zbuluan gjatë rinumërimit të pjesshëm.
Komuna më e ‘prekur’ nga ky proces doli Prizreni, prandaj KQZ vendosi po ashtu për ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit, transmeton klankosova.tv
Rreth kësaj në mbledhje ka folur edhe kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Ai deklaroi se edhe rinumërimi i pjesshëm u bë me iniciativën e KQZ-së, me qëllim të garantimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe për të siguruar që vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës të regjistrohet dhe të reflektohet në mënyrë të saktë, ashtu siç është shprehur prej tyre në fletëvotime.