Kryeministri britanik Keir Starmer premtoi sot se do të qëndrojë pranë popullit të Ukrainës, për aq kohë sa të duhet, ndërsa kritikoi ashpër presidentin rus, Vladimir Putin për bllokimin e rrugës drejt paqes.
Kryeministri përdori një fjalim para Kabinetit në përvjetorin e katërt të pushtimit të fqinjit të tij nga Putini për të lavdëruar “qëndresën e jashtëzakonshme” të Ukrainës.
“Bëhet fjalë për vlerat tona të lirisë, demokracisë dhe të drejtës së një vendi për të vendosur vetë se çfarë bën, që është demokracia dhe sovraniteti”, tha Starmer.
“Ndikimi i luftës, po ndihet në familjet në të gjithë Britaninë e Madhe, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë që nga pushtimi”, tha ai.
“Ato janë 40% më të larta se sa ishin më parë. Çdo familje po e ndjen atë”, tha Starmer.
“Mënyra dhe koha kur do të përfundojë ky konflikt, do të ndikojë tek të gjithë, në Britaninë e Madhe – për një kohë shumë të gjatë, prandaj është kaq e rëndësishme të sigurohemi që të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”, theksoi kryeministri britanik.
“Por, është Putini ai që po i pengon rezultatet”, shtoi Starmer.