Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) ka njoftuar se po vazhdojnë aktivitetet në terren në kuadër të rifillimit të gërmimeve vlerësuese në lokacionin “Përzhina” në Rahovec.
Në njoftimin publik, komisioni bëri të ditur se me rastin e rifillimit të punimeve, “të enjten më 4 mars 2026, janë hasur pjesë kockore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore”.
Gjatë punimeve të zhvilluara dje, komisioni theksoi se janë evidentuar gjetje të mbetjeve mortore, të cilat, sipas vlerësimit fillestar, i përkasin së paku një individi.
“Megjithatë, numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të konfirmohen pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave përkatëse, përfshirë edhe identifikimin përmes ADN-së”, ka thënë KQPZh.
KQPZh bëri të ditur se procesi po zhvillohet në koordinim ndërinstitucional ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe organeve të drejtësisë. Ky koordinim po realizohet me përkushtim të plotë institucional, me qëllim të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.