Ky është biznesmeni ndaj të cilit Prokuroria në Prizren ngriti aktakuzë

- Gazeta e Prizrenit

Ky është biznesmeni ndaj të cilit Prokuroria në Prizren ngriti aktakuzë

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër B.J., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare”, dhe ndaj J.B., si përfaqësues i autorizuar i operatorëve ekonomik “M.B.G.” Sh.P.K dhe “A.P.” Sh.P.K, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Insajderi merr vesh se bëhet fjalë për kompanitë Multi Business Group dhe Art Project.

Në regjistrin e bizneseve, pronar i kompanisë “Multi Business Group” është Jeton Bytyqi.

Çka thuhet në aktakuzën ndaj tij?

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.J., në cilësinë e personit zyrtar dhe të organit mbikëqyrës të projektit “Ndërtimi i infrastrukturës në fshatin Vlashnje, rrugët dhe ndriçimi publik”, gjatë periudhës nga muaji gusht 2022 deri më 16.08.2024, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me dashje i tejkalon kompetencat dhe duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, përpilon raporte dhe situacione fiktive, në të cilat është paraqitur se punimet janë kryer sipas kontratës, ndonëse në terren gjendja ka qenë ndryshe.

Si rezultat i këtyre veprimeve, Komisioni për Pranimin Teknik është vënë në lajthim dhe ka përpiluar raport pranimi, duke konfirmuar në mënyrë të gabuar se punimet janë realizuar sipas specifikimeve të kontratës, pavarësisht se në terren punimet nuk ishin përfunduar në përputhje me kushtet e kontraktuara.

Andaj, si rezultat i këtyre veprimeve, janë realizuar pagesa në favor të grupit të operatorëve ekonomik “M.B.G.” Sh.P.K dhe “A.P.” Sh.P.K, edhe pse punimet nuk ishin përfunduar sipas kontratës së lidhur.

Përmes këtyre veprimeve, Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 18,765.00 euro, ndërsa përfitim pasuror i kundërligjshëm për operatorët ekonomik në të njëjtën shumë. Me këto veprime, B.J., ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Ndërsa, Jeton Bytyqi, si përfaqësues iautorizuar i operatorëve ekonomik në bashkëpunim me të pandehurin B.J., ka vepruar me qëllim përfitimi pasuror duke shkelur dispozitat dhe procedurat e prokurimit publik dhe i njëjti nuk zbaton detyrimet që dalin nga kontrata. Me këto veprime, J.B., ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Tenderi për të cilin ata akuzohen ishte nënshkruar në vitin 2021 me një vlerë prej 313 mijë euro.

622-21-083-521;Kontrata 
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit