Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka njoftuar se ka marrë vendim të menjëhershëm që në të gjithë territorin e Kosovës të fillojë një aksion i jashtëzakonshëm i inspektimeve, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë.
Sipas vendimit të nxjerrë nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare më 13 prill, Inspektorati Qendror i Punës obligohet të hartojë një plan emergjent dhe të fillojë menjëherë një aksion të jashtëzakonshëm kombëtar të inspektimeve. Ky aksion do të zhvillohet në të gjithë territorin e vendit për një periudhë 15-ditore, me fokus në kantieret ndërtimore dhe aktivitetet me rrezik të lartë.
Inspektimet do të realizohen në mënyrë intensive, përfshirë edhe gjatë ditëve të festave dhe jashtë orarit të rregullt të punës. Në rastet kur konstatohet mosrespektimi i masave bazike të sigurisë dhe shëndetit në punë, subjektet do të përballen me ndalim të menjëhershëm të aktivitetit, vendosje të shenjave bllokuese, si dhe masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, parashihen procedura për pezullim të përkohshëm të veprimtarisë dhe masa të tjera ligjore, deri në përmbushjen e kërkesave të rekomanduara, thuhet në vendim.
Vendimi parasheh organizimin e punës së inspektorëve në terren me dy ndërrime ditore, me qëllim rritjen e mbulimit gjatë gjithë ditës, përfshirë edhe gjatë festave. Po ashtu, urdhërohet rrotacion i detyrueshëm i inspektorëve ndërmjet komunave dhe rajoneve.
Në kuadër të masave, formohet një Task-Forcë e përkohshme ndërinstitucionale për sigurinë dhe shëndetin në punë në sektorin e ndërtimtarisë, e përbërë nga përfaqësues të Inspektoratit të Punës, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera relevante. Detyra e saj është koordinimi i veprimeve në terren dhe mbështetja në zbatimin e masave ndëshkuese.
Gjithashtu, krijohet një ekip ad hoc për analizimin e rasteve të fundit të aksidenteve në punë, i cili do të shqyrtojë rastet e fundit dhe ato të ndodhura gjatë 12 muajve të fundit, si dhe do të japë rekomandime për masa parandaluese dhe përmirësimin e sistemit të inspektimit. Ky ekip obligohet që brenda një muaji të dorëzojë raport përfundimtar.