Futbollistët shqiptarë kudo që kanë luajtur e kanë lartësuar emrin e shtetit shqiptar dhe të Kosovës.
Nga Evropa, në vendet e Skandinavisë e deri në Australinë e largët, futbollistët shqiptarë kanë pasur një rol të madh në promovimin e talentit dhe vlerave tona sportive.
Diplomati i Kosovës, Bujar Deskaj, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Bullgari, Artan Malaj, shprehën krenarinë e tyre për takimin me dy emra të njohur të futbollit shqiptar, Altin Haxhi dhe Lumbardh Dellova.
Ky takim u vlerësua si një moment i veçantë që dëshmon kontributin e madh të sportistëve shqiptarë në përfaqësimin dinjitoz të kombit në arenën ndërkombëtare.
‘Së bashku me Artan Malajn, patëm kënaqësinë të takonim dy legjenda të futbollit shqiptar - Altin Haxhin dhe Lumbardh Dellovën.
Krenarë që shohim shqiptarët të përfaqësuar në një nivel të tillë.
Të dy kanë veshur me krenari edhe fanellën e CSKA Sofia - njëri si ish-lojtar që ka lënë gjurmë në lojë, dhe tjetri aktualisht duke shkruar historinë e tij në fushë dhe duke përfaqësuar ekipin kombëtar të Kosovës.
Respekt për të dy brezat dhe gjithçka që ata përfaqësojnë për futbollin”, tha Deskaj për gazetën kombëtare “Bota sot”.