Sipas njoftimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), operacioni është udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim me IPK-në dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Gjatë aksionit, katër zyrtarë policorë janë shoqëruar në objektin e IPK-së për intervistim.
“Pas intervistimit, tre zyrtarë policorë janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, kurse ndaj një zyrtari tjetër rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Operacioni është realizuar në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas IPK-së, gjatë operacionit janë bastisur pesë zyrtarë policorë dhe dy persona civilë, të cilët dyshohen për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me disa vepra penale.
Hetimet ndaj katër zyrtarëve policorë po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nën dyshimet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit”.