Konfirmohet Lija e Deleve në Suharekë, AUV ndërmerr masa urgjente në të gjithë vendin

- Gazeta e Prizrenit

Konfirmohet Lija e Deleve në Suharekë, AUV ndërmerr masa urgjente në të gjithë vendin

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar praninë e sëmundjes Lija e Deleve/Dhive (Sheep Pox/Goat Pox) në një fermë të deleve në fshatin Delloc të Komunës së Suharekës.

Sipas AUV-së, prania e sëmundjes është vërtetuar pas analizave diagnostike të kryera në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë. Menjëherë pas konfirmimit, ekipet e agjencisë në bashkëpunim me veterinerët privatë dhe institucionet përkatëse kanë ndërmarrë masa për kontrollimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.

Bazuar në Ligjin për Veterinarinë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes AUV-së, ka vendosur masa të përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundjeje në territorin e Kosovës.

Ndër masat e vendosura përfshihen ndalimi i lëvizjes së deleve dhe dhive nga fermat, pezullimi i tregtimit dhe shitblerjes së tyre në tregje, si dhe vendosja në karantinë e plotë e fermave ku është konfirmuar sëmundja.

Fermerët obligohen që të njoftojnë menjëherë veterinerët për çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore të kafshëve dhe të zbatojnë masat e biosigurisë në fermat e tyre.


AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë me hulumtimet epidemiologjike, marrjen e mostrave dhe testimet laboratorike për monitorimin e situatës në terren.

Megjithatë, me autorizim paraprak të inspektorëve veterinarë, do të lejohet lëvizja e kafshëve nga fermat e paprekura drejt thertoreve të licencuara.

Ndërkohë, menaxherët e tregjeve janë urdhëruar të pezullojnë tregtimin e deleve dhe dhive deri në një njoftim të ri. Në mbikëqyrjen e zbatimit të masave do të përfshihen edhe Policia e Kosovës dhe autoritetet komunale, në bashkëpunim me AUV-në.

Masat kanë hyrë në fuqi menjëherë.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit