Autoritetet australiane kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi për shqiptarin 47-vjeçar Orijol Rukaj, i cili është zhdukur gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë mortore të vëllait të tij në Melburn.
Sipas policisë, Rukaj, i cili ndodhej në paraburgim për akuza të rënda që lidhen me trafikim të lëndëve narkotike, ishte lejuar të merrte pjesë në funeralin e zhvilluar në një varrezë në Melburn, ku ishin të pranishëm rreth 300 persona.
Gjatë ceremonisë, ai ishte shoqëruar nga punonjës të sistemit korrektues dhe madje kishte marrë pjesë edhe si mbajtës i arkivolit. Megjithatë, pas përfundimit të funeralit, autoritetet konstatuan se ai nuk ndodhej më në vendngjarje.
Hetuesit dyshojnë se 47-vjeçari është larguar me një automjet që e priste pranë varrezave dhe se arratisja mund të jetë organizuar me ndihmën e personave të tjerë.
Policia australiane ka ndërmarrë kontrolle në disa adresa në Melburn dhe ka marrë në pyetje persona të dyshuar për përfshirje në ndihmën e arratisjes, ndërsa kërkimet po vazhdojnë edhe në zonën metropolitane.
Autoritetet kanë publikuar gjithashtu përshkrimin e të arratisurit, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për çdo informacion që mund të çojë në lokalizimin e tij.