Tronditet Prizreni: Bombë në shtëpinë e një avokati, shpërthimi zgjon lagjen pas mesnate

- Gazeta e Prizrenit

Tronditet Prizreni: Bombë në shtëpinë e një avokati, shpërthimi zgjon lagjen pas mesnate

Prizreni është zgjuar nën jehonën e një shpërthimi që ka tronditur një nga lagjet e qytetit.

Burimet ekskluzive të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se pas mesnatës, persona ende të paidentifikuar kanë hedhur një mjet shpërthyes në drejtim të shtëpisë së avokatit  prizrenas, Betim Kadolli, duke shkaktuar panik dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Shpërthimi, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ka qenë aq i fuqishëm sa ka dëmtuar veturat e parkuara në oborr dhe një pjesë të objektit banesor, ndërsa familjarët janë përballur me momente tmerri në mes të natës.

Për fat, nga të dhënat e para nuk raportohet për persona të lënduar, megjithëse pasojat mund të kishin qenë shumë më tragjike.

Menjëherë pas rastit, njësitë policore dhe ekipet e specializuara kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë nisur ekzaminimet dhe grumbullimin e provave për të zbuluar autorët dhe motivet e këtij sulmi të rëndë.

A ishte ky një akt intimidimi? Një mesazh i drejtpërdrejtë? Apo qëndrojnë motive të tjera pas sulmit ndaj avokatit prizrenas? Këto janë pyetjet që tashmë presin përgjigje nga organet e hetuesisë.


Sulmi me bombë ndaj shtëpisë së një avokati përbën një zhvillim alarmues, jo vetëm për sigurinë e tij dhe të familjes, por edhe për klimën e sigurisë dhe ushtrimin e pavarur të profesionit të avokatit në vend.

Sinjali mëson se hetimet janë në fazën fillestare dhe pritet që gjatë orëve në vijim të ketë më shumë detaje nga autoritetet kompetente.

Lexo edhe:

Suspendohen tre policë në Prizren, dyshohen për ryshfet

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

https://sinjali.com/ekskluzive-tronditet-prizreni-bombe-ne-shtepine-e-avokatit-betim-kadolli-shperthimi-zgjon-lagjen-pas-mesnate/?fbclid=IwY2xjawSeTedleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFCU1I5RU5UdnczbUNSUmhHc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHjxtd7tjogzB87Cj1614SXj1fWrkLYPJmFMyr1Y1aK2YvFBda_TD7n04L7wH_aem_ly-W0kli436AEJgnlo3jWQ



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit