Në Prizren bie në pranga i kërkuari i njohur si “Xheki” – dërgohet në burg për vuajtjen e dënimit

- Gazeta e Prizrenit

Në Prizren bie në pranga i kërkuari i njohur si “Xheki” – dërgohet në burg për vuajtjen e dënimit

Xhevahir Koçinaj, i njohur me nofkën “Xheki” dhe i evidentuar si recidivist i disa veprave penale, është arrestuar sot nga Policia e Kosovës për të vuajtur një dënim me burg efektiv prej 10 muajsh, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Koçinaj ka të kaluar kriminale dhe është përfshirë në raste të shumta penale, kryesisht për vjedhje, vjedhje të rënda, si dhe vepra që lidhen me narkotikët.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, arrestimi është realizuar më 16 qershor 2026 nga njësiti për realizimin e urdhëresave në Stacionin Policor të Prizrenit, pas veprimeve operative dhe hetimore që çuan në lokalizimin e tij.

Koçinaj ishte në kërkim pasi ndaj tij ishte lëshuar një vendim i plotfuqishëm i Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin ishte dënuar me 10 muaj burg efektiv për veprën penale “Shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve”.

Pas arrestimit, ai fillimisht është shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren, ndërsa më pas është dërguar në institucionin korrektues për vuajtjen e dënimit.

Policia ka theksuar se mbetet e angazhuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë, si dhe në luftimin e veprave penale që cenojnë sigurinë dhe shëndetin publik.

Lexo edhe:

Gjykata e Prizrenit merr vendim për nënën dhe djalin e dyshuar për vr*asjen në Kobaj 



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit