Mbi 19 mijë maturantë i nënshtrohen Testit të Maturës

- Gazeta e Prizrenit

Mbi 19 mijë maturantë i nënshtrohen Testit të Maturës

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se më 20 qershor (sot) do të mbahet afati i parë i Testit të Maturës Shtetërore 2026, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 maturantë në 152 qendra testimi në mbarë Kosovën.

Sipas njoftimit, procesi do të administrohet nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve, ndërsa testimi do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në orën 12:30.

MAShTI ka bërë të ditur se të gjithë kandidatët duhet të paraqiten në qendrat e tyre të testimit më së largu deri në orën 09:00, për të përfunduar procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat e testimit.

Testi i Maturës do të mbahet brenda një dite dhe do të përfshijë 100 pyetje, me nga 25 pyetje nga gjuha amtare, gjuha angleze, matematika dhe një lëndë zgjedhore e përzgjedhur nga vetë nxënësi.

Ministria ka rikujtuar se posedimi i telefonave mobilë dhe pajisjeve të tjera elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar. Çdo maturant që kapet me pajisje të tilla do të përjashtohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse i ka përdorur apo jo.

Sipas MAShTI-t, Qendra për Vlerësim ka përmbyllur të gjitha përgatitjet teknike dhe organizative për mbarëvajtjen e procesit, ndërsa stafi përgjegjës është trajnuar paraprakisht.

Ministria u ka uruar sukses të gjithë maturantëve që do t’i nënshtrohen testit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit