Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në transitin e vjetër të Prizrenit, ku një 22-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi motoçikleta që drejtonte u përplas me një veturë, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:00 në rrugën “Shtjefën Gjeçovi”, ku janë përfshirë një motoçikletë Yamaha, pa targa, dhe një veturë VW Up.
Sipas hetimeve fillestare, motoçikleta që drejtohej nga A.B, 22 vjeçar dyshohet se po lëvizte me shpejtësi të papërshtatshme dhe pa mbajtur distancën e nevojshme nga automjetet para saj. Në momentin kur vetura, e drejtuar nga Shpëtim Fanaj, 30 vjeçar, po kthehej majtas për të hyrë në një rrugë lokale, motoçikleta është përplasur në pjesën e pasme të saj.
Si pasojë e përplasjes, motoçiklisti ka pësuar frakturë në krahun e majtë dhe lëndime në kokë. Ai fillimisht është trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të specializuar.
Në aksident janë shkaktuar edhe dëme materiale në të dy automjetet.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit janë në vazhdim.