Policia Rajonale e Prizrenit ka dhënë detaje lidhur me rastin e zyrtarit policor nga Prizreni, i cili u gjet pa shenja jete në fshatin kufitar Morinë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, raporton Gazeta e Prizrenit.
Sipas njoftimit zyrtar, sot, më 22 korrik 2026, Policia e Kosovës është njoftuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë se rreth orës 08:25, në varrezat e fshatit Morinë, është gjetur pa shenja jete shtetasi me inicialet Sh.H., 35 vjeç, banues në Prizren.
Burime të Gazetës së Prizrenit bëjnë të ditur se viktima është Shaban Hajdari, zyrtar policor në Njësinë e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës në Prizren.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Prizren, Shaqir Bytyqi, konfirmoi se zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është bërë identifikimi i viktimës. Ai konfirmoi se 35-vjeçari ishte zyrtar policor në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren.
Sipas veprimeve të deritanishme hetimore të ndërmarra nga Policia e Republikës së Shqipërisë, dyshohet se 35-vjeçari ka kryer vetëvrasje me armë zjarri ( pistoletë ). Arma është sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga autoritetet kompetente.
Bytyqi bëri të ditur për Gazetën e Prizrenit se në momentin kur është gjetur, zyrtari policor nuk ishte i veshur me uniformë zyrtare. Ai shtoi se alarmi për zhdukjen e tij ishte ngritur pasi nuk ishte paraqitur në vendin e punës për dy ditë me radhë, pa njoftuar as familjen dhe as eprorët e tij.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është në kontakte dhe koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Republikës së Shqipërisë, me qëllim të sigurimit të provave dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të këtij rasti.