IKShPK bën thirrje për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit: Mund të shkaktojë komplikime serioze, madje edhe vdekje

- Gazeta e Prizrenit

IKShPK bën thirrje për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit: Mund të shkaktojë komplikime serioze, madje edhe vdekje

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit, duke paralajmëruar se kjo sëmundje është shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze shëndetësore, madje edhe vdekje.

Përmes një njoftimi, IKShPK ka rikujtuar se fruthi përhapet lehtësisht përmes ajrit, kur personat e infektuar kolliten ose teshtijnë, ndërsa virusi mund të transmetohet edhe para shfaqjes së simptomave.

Sipas institutit, shenjat kryesore të sëmundjes janë temperatura e lartë, kolla, rrjedhja e hundës, skuqja dhe lotimi i syve, si dhe puçrrat e kuqe në lëkurë, të cilat zakonisht shfaqen fillimisht në fytyrë dhe më pas përhapen në pjesë të tjera të trupit.

IKShPK ka paralajmëruar se fruthi mund të shkaktojë pneumoni, encefalit, dehidrim, dëmtim të dëgjimit dhe verbim, ndërsa fëmijët nën moshën pesëvjeçare janë veçanërisht të rrezikuar nga komplikimet.

Instituti thekson se vaksina MMR është mbrojtja më e mirë kundër kësaj sëmundjeje. Sipas njoftimit, një dozë siguron mbi 90 për qind mbrojtje, ndërsa dy doza rreth 97 deri në 99 për qind.
Lexo edhe:

Shpallje nga Liburn A. Haxhibeqiri dhe Burak Sevtap ( 20. 11. 2026 )

Në Kosovë, doza e parë e vaksinës MMR jepet në moshën 12 muajshe, ndërsa e dyta në moshën 5 deri në 6 vjeç.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit