Reagon Shoqata e Krushës së Vogël: Të hetohen pretendimet për kri*me lufte në Prizren të personit të përmendur nga Esat Shala

- Gazeta e Prizrenit

Reagon Shoqata e Krushës së Vogël: Të hetohen pretendimet për kri*me lufte në Prizren të personit të përmendur nga Esat Shala

Përmes një reagimi publik, Shoqata për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999” nga Krusha e Vogël kërkon hetim të plotë mbi pretendimet e bëra publike nga Esat Shala dhe vënien para drejtësisë të çdo personi që mund të ketë qenë i përfshirë në krime lufte, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Reagimi:

Shoqata për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999” – Krushë e Vogël ka ndjekur me shqetësim deklarimet publike të bëra një ditë më parë nga z. Esat Shala, i cili, përmes prezantimit të një videoje, ngriti pretendime për praninë në Prizren të një personi me përkatësi turke, me mbiemrin Bushi, për të cilin u tha se gjatë luftës së vitit 1999 kishte vepruar së bashku me forcat serbe, përfshirë edhe Krushën e Vogël.

Kujtojmë se në Krushë të Vogël, më 26 mars 1999, forcat serbe, të udhëhequra edhe nga serbë lokalë, kryen një nga masakrat më të rënda të luftës në Kosovë, ku u vranë 113 civilë shqiptarë, ndërsa 60 prej tyre ende figurojnë të zhdukur. Familjet e tyre vazhdojnë të presin drejtësi dhe të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre.

Nëse pretendimet e bëra publike rezultojnë të bazuara, sjellja e këtij personi para organeve të drejtësisë do të ishte një hap i rëndësishëm jo vetëm për vendosjen e drejtësisë për viktimat, por edhe për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, përmes informacioneve që ai mund të posedojë.

Personat e shfaqur në videon e publikuar nuk paraqiten si pjesëmarrës në aktivitete paqësore, por si individë për të cilët janë ngritur pretendime serioze lidhur me ngjarje të luftës. Prandaj, kërkojmë nga organet kompetente që të trajtojnë me seriozitet këto pretendime, të zhvillojnë një hetim të plotë dhe të pavarur mbi rolin dhe përgjegjësinë e mundshme të personit të përmendur, si dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore që kërkon rasti.

Krimet e luftës nuk parashkruhen. Çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës dhe në vënien para drejtësisë të përgjegjësve është detyrim moral, ligjor dhe njerëzor ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.

Shoqata për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999” – Krushë e Vogël
Agron Limani – Kryetar  /  Gazeta e Prizrenit / 



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit