Paraburgim për tre të dyshuarit që tentuan vr*asjen e një viktime në Gjakovë

- Gazeta e Prizrenit

Paraburgim për tre të dyshuarit që tentuan vr*asjen e një viktime në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë, dje ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurve H.D, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale vrasja në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, ndërsa të pandehurve A.D. dhe E.G., për pjesëmarrje në rrahje.

Sipas kërkesës së prokurorisë, ndër të tjera ceket se “më datë 10 gusht 2026, rreth orës 15:50, në Gjakovë, në rrugën “Dëshmorët e Hereçit”, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin D. G., në atë mënyrë që, në ditën dhe momentin kritik, i dëmtuari, së bashku me vëllain e tij, E.G., është takuar me të pandehurin dhe dy djemtë e tij, A.D. dhe të miturin E.D. Në atë moment, pas një mosmarrëveshjeje dhe konflikti fizik ndërmjet tyre, i pandehuri, me armën – pistoletë që kishte me vete, me numër serik dhe kalibër ende të paidentifikuar, ka shtënë disa herë në drejtim të të dëmtuarit, duke e goditur në pjesën e sipërme të këmbës së majtë. Si pasojë e lëndimeve të pësuara nga të shtënat me armë, i dëmtuari është dërguar në Emergjencën e spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes.”.

Gjyqtari i procedurës paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

Me këtë vendim, të pandehurit H.D., A.D., dhe E.G., do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit më 10 gusht 2026 deri më 10 shtator 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit