Sipas dyshimeve të autoriteteve, Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe ka pasur kontakte me një zyrtar të saj, Zelimir Matoviq.
Sali punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit, ndërsa më herët ka qenë i angazhuar edhe në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës.
Ai dyshohet gjithashtu se është marrë me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, ndërsa autoritetet kanë ngritur dyshime edhe për përfshirje në grumbullimin e votave për persona që mbështesin presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, Sali është arrestuar sot në pikën kufitare në Merdare dhe, me aktvendim të Prokurorisë Speciale, është ndaluar për 48 orë.
Pas arrestimit, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë kryer bastisje në vendbanimin e tij në Dragash.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Rasti mbetet nën hetim, ndërsa institucionet kompetente pritet të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të dyshimeve dhe rrethanave të rastit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.