Java e dytë e Superligës së Kosovës vazhdon sot me dy përballje interesante, teksa vëmendja kryesore do të jetë te dueli mes Dukagjinit dhe Feronikelit ’74, i cili do të zhvillohet për herë të parë nën dritën e reflektorëve në stadiumin e Klinës.
Xhiroja e dytë e elitës së futbollit kosovar nisi të premten me përballjen mes Malishevës dhe Drenicës, e cila përfundoi me rezultat 1-1.
Sot në program janë dy ndeshje.
Në stadiumin e qytetit në Suharekë, Ballkani do ta presë Vushtrrinë, në një takim që do të nisë nga ora 16:30.
Në të njëjtën orë ishte planifikuar të zhvillohej edhe përballja mes Dukagjinit dhe Feronikelit ’74, por kjo ndeshje ka pësuar ndryshim në orar.
Kjo përballje do të jetë e veçantë për futbollin klinas, pasi për herë të parë një ndeshje në stadiumin e qytetit do të zhvillohet nën ndriçimin e reflektorëve.
Kështu, Dukagjini dhe Feronikeli ’74 do të kenë një tjetër atmosferë në këtë përballje, e cila pritet të sjellë interesim të madh nga tifozët.