Gjykata e Prizrenit vendosi për vrasjen e rëndë të qershorit në fshatin Kobaj

- Gazeta e Prizrenit

Gjykata e Prizrenit vendosi për vrasjen e rëndë të qershorit në fshatin Kobaj

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të miturit A. Osmanaj, lidhur me rastin e vrasjes së një personi në fshatin Kobaj, më 14 qershor 2026. raporton Gazeta e Prizrenit.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i mituri A.O., në bashkëkryerje me Sh.O., akuzohej se gjatë një përleshjeje kishte sulmuar me thikë dy persona, duke goditur njëri prej tyre në gjoks. Viktima 27-vjeçari Albian Osmanaj kishte humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa personi tjetër kishte pësuar lëndime të lehta trupore.

Gjykata ka bërë të ditur se i mituri është dënuar me nëntë vjet burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndaj të miturit është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Sipas Gjykatës, gjatë shqyrtimit gjyqësor të 18 shtatorit, i mituri kishte deklaruar se ndihej përgjegjës dhe fajtor për veprat penale që i viheshin në barrë. Trupi gjykues kishte pranuar deklarimin e tij pas vlerësimit se ai e kishte kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të përgjegjësisë dhe se ishte konsultuar me mbrojtësin e tij.

Kundër aktgjykimit palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Ndërkohë, sipas njoftimit, lënda ndaj dy të dyshuarve të tjerë është ende në fazën e procedurës paraprake/hetimore në Departamentin e Krimeve të Rënda.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit