Gazetari i CNN-it, Fareed Zakaria, e ka pyetur presidentin serb Aleksandar Vuçiq për të kaluarën e Serbisë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, me theks të veçantë te Srebrenica.
Në hyrje të intervistës, CNN rikujton se Vuçiq është në pushtet prej më shumë se një dekade. Në material trajtohen edhe raportet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën.
CNN e lidh gjithashtu të kaluarën e Serbisë me periudhën e “nacionalizmit të dhunshëm”.
Gjatë bisedës, Zakaria i thotë Vuçiqit se në një pjesë të madhe të opinionit perëndimor, Serbia ende lidhet me luftërat e viteve ’90 në Ballkan.
“Shumica në botën perëndimore, kur mendojnë për Serbinë, mendojnë për luftërat në Ballkan, për atë që ndodhi në vende si Srebrenica, dhe ka shpresë se Serbia e ka lënë pas atë të kaluar”, i tha Zakaria presidentit serb.
Në këtë pjesë të materialit shfaqen edhe pamje të civilëve me duar të lidhura, të shtrirë në tokë para ekzekutimit.