Edison Korra, 24 vjeç, dhe Orest Balla, 23 vjeç janë dy të rinjtë nga Elbasani të cilët ngritën një plan për të zhvatur 100 mijë euro nga kreu i FSHF-së Armand Duka.
Takimi u zhvillua në Elbasan, aty ku të rinjtë u kapën në flagrancë.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Taulant Balla.
“E përgëzoj Policinë e Shtetit Tiranë, të cilët me shumë efikasitet kanë goditur një rast tjetër kriminal mashtrimi në rrjetet e komunikimit on-line. Qytetarët duhet të bëjnë shumë kujdes dhe duhet ta denoncojnë menjëherë çdo rast! Ndërsa rrjetet sociale duhet të forcojnë kontrollin ndaj llogarive fallco”, shkroi Balla në rrjetet sociale.
Njoftimi i policisë:
Goditet një tjetër tentativë për të përfituar shuma të mëdha parash, nëpërmjet mashtrimit në platforma komunikimi online.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 64-vjeçari, mbi dyshime për mashtrim në platformë komunikimi online, finalizuan operacionin e koduar “Seen”, gjatë të cilit u kapën në flagrancë, kur po i merrnin 100 000 euro kallëzuesit, dhe u vunë në pranga shtetasit E. K., 24 vjeç dhe O. B., 23 vjeç.
Nga hetimet e kryera me metoda speciale, me qëllim zbardhjen e plotë të autorësisë dhe rrethanave të këtij rasti, dyshohet se këta shtetas kanë komunikuar me 64-vjeçarin, nëpërmjet një profili të rremë në një rrjet social.
Profili ishte aktivizuar me të dhënat e një të njohuri të 64-vjeçarit, me qëllim mashtrimin e tij.
Hetimet vijojnë me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.