Kurti për vrasjen e Arlinda Zekajt: Secili zyrtar që ka neglizhuar detyrën duhet të japë përgjegjësi penale

- Gazeta e Prizrenit

Kurti për vrasjen e Arlinda Zekajt: Secili zyrtar që ka neglizhuar detyrën duhet të japë përgjegjësi penale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vrasja e Arlinda Zekajt ka dëshmuar dështimin e institucioneve për të mbrojtur gratë që raportojnë dhunën dhe kërkojnë ndihmë nga organet përgjegjëse.

Në një deklarim lidhur me këtë rast, Kurti ka theksuar se Zekaj kishte ndjekur të gjitha rrugët ligjore, kishte denoncuar dhunën dhe kishte kërkuar mbrojtje. Madje, sipas tij, ajo kishte paralajmëruar edhe me shkrim se jeta e saj ishte në rrezik, por megjithatë u vra.

“Arlinda bëri atë që institucionet u kërkojnë grave ta bëjnë kur përballen me dhunë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se raporti i publikuar një ditë më parë ka evidentuar lëshime zinxhirore në institucionet përgjegjëse, ndërsa ka theksuar se disa prej tyre kanë refuzuar të bashkëpunojnë.


Kreu i Qeverisë ka kërkuar që të gjithë zyrtarët që kanë neglizhuar detyrat apo kanë shkelur obligimet ligjore të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi, përfshirë atë penale.

“Secili përgjegjës dhe secila përgjegjësi e secilës hallkë duhet të hetohet”, ka thënë Kurti, duke shtuar se do të angazhohen deri në fund që askush që ka dështuar në kryerjen e detyrës të mos i shmanget përgjegjësisë.

Ndër të tjera, Kurti ka theksuar se vrasja e Arlinda Zekajt ka nxjerrë në pah edhe problemin e mendësisë patriarkale në shoqëri, e cila, sipas tij, vazhdon ta trajtojë gruan si pronë të burrit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit