Dy persona janë arrestuar në Prizren, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorinë dhe me asistimin e Inspektoratit Shëndetësor/Farmaceutik, kanë kryer kontrolle në dy biznese farmaceutike në Prizren.
Gjatë kontrolleve janë zbuluar depo të fshehta, ku mbaheshin barna pa banderola, në kushte që nuk përmbushnin standardet për ruajtjen e tyre.
Vlera e barnave të konfiskuara në të dy lokacionet arrin rreth 10 mijë euro në treg. Konfiskimi i produkteve është bërë nga Njësia Kundër Kontrabandës e Doganës së Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se dy të dyshuarit, meshkuj kosovarë, janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./FO