Prizren: Aktakuzë ndaj tre personave për kultivim narkotikësh

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Aktakuzë ndaj tre personave për kultivim narkotikësh

Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve I.M., dhe M.M., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Gjithashtu, secili prej tyre akuzohet veçmas për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ndërsa, i pandehuri K.S., akuzohet për veprën penale dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Sipas aktakuzës, I.M., dhe M.M., në bashkëkryerje, nga një periudhë e pavërtetuar e deri më 2 prill 2026, kanë kultivuar bimën kanabis sativa në një shtëpi me qira, në Prizren, me qëllim të prodhimit të narkotikëve.

I pandehuri I.M. ka financuar këtë veprimtari, duke blerë pajisjet dhe materialet e nevojshme, ndërsa M.M. është marrë me instalimin e pajisjeve, mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, më 2 prill 2026, në këtë shtëpi është zbuluar një laborator i pajisur për kultivimin e kanabisit, ku janë sekuestruar pajisje të shumta për ndriçim, ngrohje dhe ventilim, preparate për rritjen e bimëve, pajisje matëse, pompa, materiale dhe shënime me udhëzime për kultivimin e kanabis sativa, si dhe gjithsej 706 vazo për kultivimin e bimëve narkotike.

Nga ky numër, 450 vazo janë gjetur brenda shtëpisë, ndërsa 256 të tjera në një automjet të parkuar në oborrin e saj.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar mostra të bimëve, të cilat sipas ekspertizës kanë rezultuar se përmbajnë kanabis.

Gjithashtu, më 2 prill 2026, në një deponi në Prizren, janë gjetur mbetje të djegura të bimëve narkotike, të cilat dyshohet se i pandehuri M.M., kishte tentuar t’i asgjësonte.

Përveç kultivimit të bimëve narkotike, I.M., dhe M.M., akuzohen edhe për posedim të paautorizuar të armëve. Gjatë kontrolleve, në shtëpinë e I.M., janë gjetur 27 fishekë, ndërsa në shtëpinë e M.M., një pistoletë e konvertuar në armë zjarri, me karikator të zbrazët dhe dy fishekë.

Ndërkaq, K.S., akuzohet se, më 31 mars dhe 1 prill 2026, ka ndihmuar M.M., në asgjësimin e bimëve narkotike, duke bartur me automjetin e tij, thasët e mbushur me bimë kanabis sativa nga shtëpia drejt deponisë në Prizren, me qëllim të asgjësimit të tyre.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit