Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve I.M., dhe M.M., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Gjithashtu, secili prej tyre akuzohet veçmas për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ndërsa, i pandehuri K.S., akuzohet për veprën penale dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.
I pandehuri I.M. ka financuar këtë veprimtari, duke blerë pajisjet dhe materialet e nevojshme, ndërsa M.M. është marrë me instalimin e pajisjeve, mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, më 2 prill 2026, në këtë shtëpi është zbuluar një laborator i pajisur për kultivimin e kanabisit, ku janë sekuestruar pajisje të shumta për ndriçim, ngrohje dhe ventilim, preparate për rritjen e bimëve, pajisje matëse, pompa, materiale dhe shënime me udhëzime për kultivimin e kanabis sativa, si dhe gjithsej 706 vazo për kultivimin e bimëve narkotike.
Nga ky numër, 450 vazo janë gjetur brenda shtëpisë, ndërsa 256 të tjera në një automjet të parkuar në oborrin e saj.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar mostra të bimëve, të cilat sipas ekspertizës kanë rezultuar se përmbajnë kanabis.
Përveç kultivimit të bimëve narkotike, I.M., dhe M.M., akuzohen edhe për posedim të paautorizuar të armëve. Gjatë kontrolleve, në shtëpinë e I.M., janë gjetur 27 fishekë, ndërsa në shtëpinë e M.M., një pistoletë e konvertuar në armë zjarri, me karikator të zbrazët dhe dy fishekë.
Ndërkaq, K.S., akuzohet se, më 31 mars dhe 1 prill 2026, ka ndihmuar M.M., në asgjësimin e bimëve narkotike, duke bartur me automjetin e tij, thasët e mbushur me bimë kanabis sativa nga shtëpia drejt deponisë në Prizren, me qëllim të asgjësimit të tyre.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.