Moti: Ndryshime javën e ardhshme, ulje e temperaturave e përmbytje, madje borë në zonat malore

- Gazeta e Prizrenit

Moti: Ndryshime javën e ardhshme, ulje e temperaturave e përmbytje, madje borë në zonat malore

Pas temperaturave jashtëzakonisht të larta që kanë mbretëruar pothuajse gjatë gjithë verës, më në fund shihen sinjale për ndryshim drastik të motit, kjo si pasojë e një mase të fuqishme që pritet të “shkëputet” nga Arktiku.

Nën këto kushte, paraprakisht do të kemi depërtimin e cikloneve që vijnë nga Afrika Veriore, të cilat tashmë kanë sjellur destabilizim të fuqishëm në Evropën Perëndimore, e më pas do të vazhdojnë drejt Ballkanit dhe vendit tonë.

Pra, të hënën, kryesisht pasdite dhe në mbrëmje, reshjet intensive do të jenë të përqëndruara kryesisht në Shqipëri dhe Mal të Zi, ku priten edhe shkarkesa të forta rrufesh e breshër lokalisht, e gjithashtu do të ketë edhe erëra mjaft të fuqishme, sidomos përgjatë vijës bregdetare, të cilat mund të arrijnë shpejtësinë deri në 90 km/h. Lokalisht priten përmbytje.

Këto reshje më pas pritet të shtrihen edhe në Kosovë vonë pasdite dhe në mbrëmje, sidomos gjatë së martës, të cilat lokalisht do të jenë intensive, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh, duke sjellur edhe përmbytje lokale. Temperaturat do të pësojnë ulje me të pakten 10 gradë Celsius, pra maksimalet parashihen nën vlerën 20°C.

Të mërkurën reshjet parashihen të ndërpriten gjatë ditës përkohësisht, përfshirë edhe ditën e enjte, e temperaturat do të shënojnë ngritje afatshkurtër për disa gradë, me përjashtim për Shqipërinë dhe Malin e Zi, ku do të rikthehen gradualisht të reshurat.

Nga dita e premte do të kemi depërtimin e masës së dytë të fuqishme, e cila vie nga Arktiku, duke sjellur intensifikim të reshjeve dhe ulje drastike të temperaturave, sidomos në fundjavë, ku maksimalet mund të ulen rreth vlerës 10-15°C.

Sipas parashikimeve të fundit, nuk përjashtohet mundësia që reshjet e borës të paraqiten edhe në zonat e larta malore në perëndim të vendit./MeteoKosova/



Read it all at Gazeta e Prizrenit