Pas gati një viti që nga sulmi i Banjskës, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj 45 pjesëtarëve të grupit terrorist në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq. Pas një presioni të madh politik dhe kritikave për vonesa, kreu i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj dhe Prokurori Naim Abazi sot e kanë dhënë lajmin për finalizimin e aktakuzës. Ata kanë treguar për numrin e madhe të provave që kanë pasur të menaxhojnë e analizojnë dhe kanë treguar se një nga arsyet e vonesës për ngritje të aktakuzës ka qenë ekzaminimi i disa provave jashtë vendit, proces ky që ka marrë më së shumti kohë.
Milan Radojiçiq, koka që komandonte krimin e organizuar dhe kontrabandën në Veri të vendit, në shtatorin e vitit të kaluar, duke i prirë një grupi paraushtarak të armatosur deri në dhëmbë, kishte organizuar një sulm terrorist në Banjskë, duke vrarë Afrim Bunjakun, një pjesëtar të Policisë së Kosovës.
Njësitet speciale të Policisë së Kosovës kishin arritur të kundërpërgjigjeshin suksesshëm duke vrarë disa prej sulmuesve dhe kishin arritur të zmbrapsnin pjesën tjetër të terroristëve në krye me Radojiçiq, të cilët nëpër rrugë malore ishin kthyer drejt Serbisë.
Ky sulm i nisur në orët e para të 24 shtatorit ka ndryshuar totalisht strukturën e sigurisë në Veri të Republikës së Kosovës duke ngritur vigjilencën vendore dhe ndërkombëtare në maksimumin e saj, që ka rezultuar edhe me rritje të madhe të trupave policore dhe ushtarake.
Siç edhe pritej, Milan Radojiçiq, gjeti strehë në Serbinë e drejtuar nga Aleksander Vuçiq, ku vazhdon të jetojë edhe sot i mbrojtur në liri. Ndaj serbit me prejardhje nga Gjakova, autoritet serbe kanë nisur një proces gjyqësor, kjo pas presionit të madh ndërkombëtar, dhe Milan Radojiçiq është duke u mbrojtur në liri.
Ky vendim ishte marrë nga Gjykata e Lartë në Beograd më 4 tetor 2023 duke hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë së Lartë Publike të Beogradit
“Pasi dëgjoi të pandehurin Milan Radojiçiç për arsyet e caktimit të paraburgimit, hodhi poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të caktuar paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes”, thuhej në vendimin e Gjykatës ku kumtohej se të njëjtit i ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, nga kjo gjykatë kishin njoftuar se terroristit Radojiçiç, i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit, pra pasaporta e Serbisë, “ndërsa i pandehuri është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel ndalesat dhe detyrimet”.
Megjithatë lidhjet në mes të Radojiçiq dhe pushtetit të Aleksadner Vuçiqit në Serbi s’kanë pushuar as pas këtij rasti.
Kreu i grupit terrorist të Banjskës është parë në shoqërinë e ish-ambasadori të Serbisë në Ëashington, tashmë ministër i Jashtëm, Marko Gjuriq, diku në Serbi.
Përveç këtij takimi me një prej njerëzve më të afërt të Vuçiqit, pushteti në Serbi, siç kanë raportuar mediat serb, nuk e ka lënë Radojiçiqin në lloç dhe janë kujdesur për mirëqenien e tij financiare.
Kompanitë e kryeterroristit Milan Radojiçiç-it të cilët operojnë në Serbi kanë fituar tender të ndryshëm nga shteti i Serbisë, vetëm pak ditë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në krye të cilit ishte vetë Radojiçiç.
Kështu të paktën ka raportuar gazeta serbe “Radar Nova”, ku në një artikull të gjatë për këtë çështje nënvizon faktin se kompanitë e Radojiçiç-it kanë fituar tenderë në vlerë prej 8.5 milionë euro për “blerje të specifikuara”.
“Vetëm dy ditë pas konfliktit të armatosur në Banjë, më 26 shtator 2023, kompania Rad 028 nga Zveçani, e cila për shkak të dyshimeve se kontrollohej nga Radojiçiç ishte në listën e zezë të Thesarit të SHBA-së, fitoi dy tenderë të lëshuar nga Komuna e Zveçanit (komuna paralele). Puna e parë ishte kontraktuar për 358.3 milionë dinarë, ndërsa e dyta për 142 milionë dinarë”, thuhej në raportimin e Radar Nova më 14 mars 2024.
Rasti i Banjskës ishte shndërruar për muaj të tërë temë qendrore dhe kishte afektuar gjithë procesin e negociatave për normalizim në mes të Kosovës dhe Serbisë. Emisari special i BE-së, Miroslav Lajcak, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë kishte përmendur një hetim ndërkombëtar që po kryhej, megjithatë s’kishte treguar se nga kush.
Përflitej për Gjermaninë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithatë deri tani zyrtarisht asnjëra s’ka pranuar që ka kryer hetime për atë që ka ndodhur në Banjskë.
Ndërkohë presioni i politikës, konkretisht Qeverisë Kurti, drejt Prokurorisë Speciale të Kosovës për të ngritur aktakuzë për rastin e Banjskës ka qenë i madh.
Prokuroria Speciale e gjendur përballë presionit të pushtetit kishte reaguar, duke kërkuar të mos ndërhyhet në një hetim për një rast tejet kompleks.
Sot më 11 shtator, pothuajse një vit pas sulmit të Banjskës, Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një konference për media ka njoftuar për aktakuzën e ngritur ndaj Milan Radojiçiq dhe 44 personave të tjerë për sulmin terrorist të Banjskës.
Akuzat kanë të bëjnë me rrezikim dhe cenim të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, terrorizëm e shpëlarje parash. Kryeprokurori Blerim Isufaj vonesën në ngritjen e aktakuzës e ka arsyetuar me procesin e ekzaminimit të disa provave që është realizuar jashtë vendit.
Liderët vendorë në vazhdimësi kanë alarmuar për rrezikun që i kanoset Kosovës nga një sulm i ri i mundshëm nga grupi i Milan Radojiçiq. Gjithashtu ka pasur edhe deklarata që ai dhe grupi i tij janë duke u riorganizuar në Serbi.