Protesta, kritika, thirrje: Çfarë po ndodh me Ligjin e Punës?

- Bota Sot

Protesta, kritika, thirrje: Çfarë po ndodh me Ligjin e Punës?

“Qeveria e Kosovës po mbështet drejtpërdrejt vazhdimin e shkeljeve të të drejtave të grave dhe burrave”, tha Brikena Hoxha, drejtoreshë e Iniciativës Kosovare për Stabilitet.

Më 16 shtator, Hoxha lexoi këtë deklaratë të përbashkët të Forumit Ekonomik të Grave gjatë protestës së thirrur kundër mospërfshirjes së Ligjit të Punës në kalendarin legjislativ për vitin 2024.

Nevoja për miratimin e ndryshimeve në Ligjin aktual të Punës është theksuar disa herë nga organizatat joqeveritare.

Këtë vit, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) publikoi një raport, ku thuhet se nevoja për ndryshimin e ligjit është urgjente, pasi që “rastet e shkeljeve të të drejtave të punës vazhdojnë me një ritëm alarmues”.

Largime arbitrare nga puna, mungesa e kushteve dhe sigurisë në punë, mospagesa e kontributeve pensionale, ekonomia joformale, korrupsioni, mungesa e inspektimeve në terren…

Këto listohen si disa nga problemet e shumta që ndikojnë në shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë, ku çdo vit ka disa raste të lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës.

Katërmbëdhjetë vjet tentime të dështuara për ndryshim

Ligji aktual i Punës ishte miratuar në vitin 2010, prej kur Qeveria e Kosovës nisi t’i rregullonte marrëdhëniet e punës që më parë menaxhoheshin nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Që nga fillimi ka pasur kritika të shumta për përmbajtjen e këtij ligji. Dy herë ai ishte tërhequr nga rendet ditore të Kuvendit të Kosovës, me arsyetimin se kishte kosto të lartë buxhetore. Ndërsa, herën e tretë ka kaluar pak kohë pasi sindikalistët kanë kërcënuar me mospjesëmarrje në zgjedhje.

Instituti GAP ka publikuar një analizë të Ligjit të miratuar të Punës qysh në qershor të vitit 2011, ku ka listuar disa probleme.

Pushimi i lehonisë ka ngjallur reagimet më të shumta – për shkak të formës dhe buxhetit të ndarë për të – ndjekur nga puna e paraparë për Inspektoratin e Punës, i cili kishte numër të pamjaftueshëm inspektorësh.

Pushimi i lehonisë konsiderohej si problem kryesor i këtij ligji qysh në fillimet e tij. Në vitin 2012, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka formuar një grup punues për ta rishikuar pushimin e lehonisë, mirëpo në fund kjo iniciativë ka dështuar.

Qeveritë pasardhëse kanë premtuar gjithashtu ndryshime në Ligjin e Punës – përfshirë në vitin 2019, kur Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj e ka çuar atë në Kuvend.

Atëkohë është propozuar që pushimi i lehonisë dhe ai prindëror të rregulloheshin me ligj të veçantë.

Por, rrëzimi i Qeverisë dhe procesi vijues zgjedhor kanë bërë që as këtë herë ligji të mos ndryshohej.

Pastaj, në vitin 2020, kur Lëvizja Vetëvendosje ka marrë pushtetin për herë të parë, Ligji i Punës është përfshirë në agjendën legjislative dhe është krijuar një grup punues. Por, sërish rrëzimi i Qeverisë dhe procesi zgjedhor e kanë ndërprerë këtë proces.



Read it all at Bota Sot