Gjykata ndalon publikimin e dëshmive të dy dëshmitarëve, në gjykimin për vrasje në tentativë

- Bota Sot

Gjykata ndalon publikimin e dëshmive të dy dëshmitarëve, në gjykimin për vrasje në tentativë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka ndaluar publikimin e dëshmive të dy dëshmitarëve të dhëna në seancën e së mërkurës, në gjykimin për vrasje në tentativë ndaj të akuzuarit Diar Sfarqa.

Kryetari i trupit gjykues, Naser Foniq kërkojë që dëshmitë e dëshmitarëve L.O dhe A.K, të mos publikohen për shkak të mundësisë së dëgjimit të deklaratave të tyre nga ana e dëshmitarit të tretë A.H, i cili nuk ishte prezent në seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, lidhur me mungesën e këtij dëshmitari u bë e ditur se i njëjti gjendet jashtë shtetit dhe për pamundësinë e ardhjes në këtë seancë ka njoftuar gjykatën.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 11 tetor 2019, Diar Sfarqa akuzohet se më 20 qershor 2018, rreth orës 23:30, në Prishtinë, te parku i Gërmisë, derisa i dëmtuari Shkëlqim Baxhaku ishte duke luajtur me disa qen, i pandehuri me veturën e tij të tipit “Mercedes”, është sjellë tri herë rreth vendit ku ishte duke luajtur i dëmtuari.Derisa i pandehuri ishte duke u sjellë në të tretën herë, në aktakuzë thuhet se i dëmtuari i afrohet atij te vetura dhe i thotë “Çka u ba o burr, çka është problemi, a nuk po më sheh”, ashtu që i pandehuri edhe gjashtë herë sillet rreth vendit ku ishte i dëmtuari, ku i njëjti pas kësaj detyrohet të largohet nga ai vend.

Në aktakuzë, tutje thuhet se i pandehuri e rritë shpejtësinë e veturës dhe niset pas veturës ku ishte i dëmtuari, e tejkalon, pastaj prapë kthehet me shpejtësi me veturë në drejtim të veturës ku ishte i dëmtuari, ashtu që ky i fundit pas kësaj situate është kthyer për të parë se çka është duke ndodhur. Kur kanë mbërritur te hyrja në parkun e Gërmisë, ka dalë nga vetura dhe është nisur drejt veturës së të pandehurit për të biseduar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se në momentin kur i dëmtuari është afruar pranë veturës së të pandehurit, i njëjti ka shkuar prapa me veturë kur i dëmtuari e ka kthyer shpinën për të shkuar te vetura e tij, me dashje që ta privojë nga jeta me një shpejtësi të madhe e ka goditur të dëmtuarin, të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”. 



Read it all at Bota Sot