Dushan Vlahoviç mund të largohet që në janar.
Edhe pse nuk është diçka e sigurt, shanset që sulmuesi serb të largohet janë mjaft të larta dhe një tregues është edhe këmbëngulja për të afruar Kolo Muaninë.
Vlahoviç dhe Juventusi nuk kanë gjetur një marrëveshje për rinovimin, madje serbi është vendosur në qendër të kritikave me performancën e tij.
Për këtë arsye, shanset që Xhuntoli të mos rrezikojë ta humbasë me zero, por ta shesë që në janar janë të larta.
Megjithatë, për momentin nuk ka shumë skuadra që po nxitojnë për ta afruar. Emri kryesor në garë për momentin është Arsenali që, i tronditur nga lajmi për dëmtimin e Gabriel Zhezusit, i cili humbi sezonin, kërkon të përforcojë sulmin.
Një nga kandidatët kryesor për ta zëvendësuar është pikërisht Vlahoviç, i cili ka edhe një peshë të madhe në bilancin e Juves. Për ta lënë të lirë, Juventusi do të pranonte edhe 60 milionë euro, një shifër jo e papërballueshme nga Arsenali. Megjithatë, shumë gjëra janë edhe në dorën e Vlahoviçin që ka edhe një opsion tjetër, i cili mund të konkretizohet në verë.
Bëhet fjalë për Barcelonën që ka filluar të studiojë emrin që do të zëvendësojë Levandovskin dhe Vlahoviç është një prej kandidatëve. Objektivi i Xhuntolit është që ta largojë sa më parë dhe të përfitojë sa më shumë, pasi kështu do të mundej të investonte te lojtarët e tjerë që do të blejë, por njëkohësisht të mbyllë një nga çështjet më të nxehta të Juventusit në muajt e fundit.
Kujtojmë që Vlahoviç e refuzoi ofertën e parë të Juventusit për rinovimin, ndërsa pritet një tjetër raund bisedimesh në fundin e merkatos, gjithmonë nëse serbi nuk largohet që në merkaton që është e hapur aktualisht. Por si paraqitet situata për Kolo Munainë?
KOLO MUANI- Juventusi po vazhdon të jetë shumë i vëmendshëm në merkaton e janarit për të sjellë në skuadër lojtarë sa më shumë cilësorë. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe vetë drejtori teknik, Kristiano Xhuntoli, por mbi të gjitha, me afrimin e mundshëm të Alberto Kostës, “Zonja” po punon për afrimin e Randal Kolo Muanisë.
Sipas asaj që raportohet nga mediat italiane, Kolo Muani ka dritën e gjelbër për t’u larguar nga PSG-ja në drejtim të Juventusit. Xhuntoli ka rënë dakord me kryeqytetasit e Francës për një huazim deri në fundin e sezonin me të drejtë blerjeje.
Për të konkretizuar këtë marrëveshje ka ardhur edhe aprovimi i sulmuesit që edhe pse ka një marrëveshje në parim, duhet të mbyllë disa detaje me bardhezinjtë. Sa i përket shifrës së transferimit në rast se Juventusi pranon në fund të sezonit që ta blejë përfundimisht sulmuesin, do të duhet të paguajë të paktën 50 milionë euro.