Barcelona në proces intensiv rinovimesh

- Bota Sot

Barcelona në proces intensiv rinovimesh

Drejtoria Sportive e Barcelonës ka arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratave të Ronald Araujo dhe Pedri, pas negociatave intensive mes drejtorit sportiv Deco dhe përfaqësuesve të lojtarëve. Të dy lojtarët kanë pranuar rinovimin deri në vitin 2030, pritet vetëm nënshkrimi i kontratave, çka do të ndodhë para mbylljes së merkatos dimërore më 3 shkurt.

Prioritetet e klubit – Para ndeshjes kundër Benfica, Deco theksoi në një intervistë se prioritet i klubit në këtë moment është rinovimi i lojtarëve për të krijuar hapësira në “fair play financiar” dhe mundësuar ndonjë blerje të re. Kandidati kryesor për të përforcuar sulmin mbetet Marcus Rashford.

Oferta e Juventusit për Araujo – Bisedimet për rinovimin e Araujo ishin relativisht të shpejta, pavarësisht një tentative për largim gjatë kësaj merkatoje dimërore. Juventusi bëri një ofertë prej 35 milionë eurosh për qendërmbrojtësin uruguajan, por Barcelona e refuzoi, duke e vlerësuar lojtarin në 70-80 milionë euro.

Pas kësaj tentative, Deco organizoi një takim me përfaqësuesit e lojtarit në Barcelonë, ku palët arritën marrëveshje për rinovimin. E ardhmja e tij gjatë verës mbetet e pasigurt, nëse lojtari kërkon largimin, por kjo do të ndodhë vetëm nëse oferta ekonomike është shumë e lartë.

Negociatat me Pedri – Rinovimi i Pedri u zhvillua pa ndonjë komplikacion. Të dyja palët kanë qenë të vendosura për vazhdimësinë, ndaj negociatat u përqendruan kryesisht në aspektin financiar. Rinovimi i tij konsiderohet strategjik nga klubi, pasi mesfushori po tregon performancë të shkëlqyer gjatë këtij sezoni.

Rinovimet e tjera – Përveç Araujo dhe Pedri, janë drejt përfundimit edhe rinovimet e Gavi e Gerard Martín. Si në rastin e Pedri, bisedimet kanë qenë të qeta dhe marrëveshjet janë pothuajse të përfunduara. Edhe këto njoftime priten para mbylljes së merkatos dimërore.

“Fair play financiar” dhe të ardhurat nga shitjet – Tani mbetet të shihet nëse këto rinovime do të krijojnë hapësirën e nevojshme financiare për të bërë blerje të reja. Në rast të kundërt, klubi duhet të shesë disa lojtarë që po luajnë pak, si Ansu Fati dhe Eric García, të cilët nuk gëzojnë shumë besim nga trajneri Hansi Flick.



Read it all at Bota Sot