KF Besa e Dobërdollit dhe KF Arsimi, gjatë ditës së sotme në qytetin e Gostivarit, në stadiumin me bari sintetik zhvilluan ndeshjen e parë kontrolluese në kuadër të përgatitjeve për stinorin pranveror, njofton “infOSport.mk”.
Doli të jetë kjo një super ndeshje, që në fund dhuroi plotë 6 gola, dhe fitoren e Besës me shifrat 4:2.
Vetëm pas 28 sekondave, përforcimi i parë i skuadrës nga Dobërdolli në këtë merkato dimri, Shefit Shefiti, kaloi në epërsi skuadrën e trajnerit Mihajllov.
Nuk vonoi shumë dhe në minutën e dytë, Mexhit Neziri me golin e shënuar nga penaltia dyfishoi epërsinë e Besës së Dobërdollit në 2:0, ndërsa falë një super goli të shënuar nga distanca, nga ana e Maliq Belulit, KF Arsimi që në minutën e 5-të zbuti epërsinë në 2:1.
Vendasit reaguan shpejtë dhe vetëm 5 minuta më pas me anë të Shefitit shënuan edhe golin e tretë brenda 45 minutave të para, që u mbyllën me shifrat 3:2.
Golin e dytë për “verdhezinjtë” nga Çegrani, e realizoi Ajradin Cuculi (40’) nga pika e bardhë.
Pjesa e dytë nuk dhuroi vetëm një gol, që ishte pjesë e ekipit të Besës së Dobërdollit. Armend Alimi në minutën e 66-të mjaft mirë harkoi nga këndi në shtyllën e parë, aty ku më së miri u gjind mbrojtësi Imran Fetai dhe me kokë shënoi për 4:2.
Për të dyja skuadrat ishte kjo ndeshja e parë në këtë fazë përgatitore të dimrit, derisa Besa e Dobërdollit me 26 janar ka paraparë të zhvillojë edhe një ndeshje tjetër kontrolluese, atë kundër Skopjes.
Nga data 28 janar, skuadra nga Dobërdolli do të udhëtoj drejt Ohrit, aty ku do të zhvillojë edhe fazën kryesore të përgatitjeve në prag të sezonit të ri.