Dita në Serbi, ]Daja do të ketë një grup më të plotë

- Bota Sot

Dita në Serbi, ]Daja do të ketë një grup më të plotë

Dinamo kishte një gjysmë skuadre në tribunë për derbin me Partizanin, ku barazoi 1- 1.

Barazimi është një rezultat i mirë në fakt, por mënyra si shkoi ndeshja bëri që të përjetohet si një humbje te blutë, të cilët nuk u besonin syve teksa panë t’u iknin dy pikë nga duart në kohën shtesë.

Skuadra e Dajës hasi vështirësi në fundin e derbit edhe për shkak të mungesave që kishte dhe që nuk ishin pak.

Bëhet fjalë për 4 titullarë, duke nisur nga kapitenit Bruno Dita, për të vazhduar me portierin Edmir Sali dhe mesfushorët Ardit Toli dhe Gasama Karamba.

Nuk ishte i gatshëm po ashtu edhe mesfushori i ri Adrian Doçi. Të gjithë për shkak dëmtimi. Situatë pak e vështirë, megjithatë java duket se ka nisur me lajme të mira për 18 herë kampionët e vendit. Deri në ndeshjen e radhës me Skënderbeun pritet që blutë të rikuperojnë të paktën 2 nga të dëmtuarit.

DITA – E sigurt edhe për këtë fundjavë është mungesa e kapitenit Bruno Dita. Ai nuk ka luajtur ndaj Elbasanit dhe Partizanit për një problem muskulor, për të cilin është dashur të shkojë në Serbi që ta kalojë sa më parë. “Panorama Sport” mëson se Dita ka udhëtuar të dielën drejt Beogradit, te fizioterapistja e njohur Marijana Kovaçeviç. Ai do të qëndrojë 4 ditë në Serbi dhe do të kthehet më pas në Tiranë, por duket e pamundur që të luajë ndaj Skënderbeut. Ndoshta javën e ardhshme 31-vjeçari mund të jetë gati për trajnerin Daja.

TË TJERËT – Më afër rikthimit nga dëmtimi te Dinamo duket mesfushori Ardit Toli. Ai pati një shqetësim muskulor javën që shkoi në stërvitje dhe stafi teknik nuk preferoi të rrezikonte dhe nuk e përfshiu mesfushorin edhe në stol për derbin me Partizanin.

Gjatë javës do të shihet gjendja e tij, por mundësitë janë të mëdha që Toli të kthehet ndaj Skënderbeut. Ka rënë “alarmi” ndërkohë për Karambën, që gjithashtu e humbi derbin ndaj të kuqve për një problem fizik. Mesfushori duket se kishte marrë një goditje dhe shumë shpejt do të jetë pjesë e grupit. Gjatë kësaj periudhe ka munguar në formacionin e Dinamos portieri Sali, i cili u dëmtua i pari dhe ende nuk është rikuperuar.

Gjasat janë që vlonjati të jetë të paktën në stol kundër Skënderbeut në fundjavë. Blutë së fundi kanë afruar edhe portierin e ri Kiri, ndërsa vendin e titullarit e ka marrë Teqja. Kryeqytetasit kanë pasur vazhdimisht dëmtime gjatë sezonit, por i kanë përballuar mirë për shkak se kanë një organikë të pasur. Kujtojmë që për shumë javë kanë munguar Rustem Hoxha dhe Dejvi Bregu, të dy për të njëjtin dëmtim, thyerje gishti.

Të dy janë rikthyer tashmë, në derbin me Partizanin ishin në fushë nga minuta e parë. Një shqetësim fizik pati edhe sulmuesi Mandela në fund të ndeshjes me Partizanin, por duket se nuk është diçka serioze. Në fundjavë trajneri Daja do të ketë një grup më të kompletuar se në derbi.



Read it all at Bota Sot