Pas 14 xhirove të zhvilluara në Ligën e Parë, skuadra e Vëllaznimit ka mbledhur 27 pikë duke u renditur e dyta në tabelë me vetëm tri pikë më shumë se lideri aktual, Drenica.
Skuadra nga Gjakova dy javë më parë shkarkoi trajnerin Leotrim Krasniqi duke e zëvendësuar atë me trajnerin nga Shqipëria, Mirel Josa. Ky i fundit në një intervistë zbulon arsyet pse vendosi t’i thotë po skuadrës kuq e zi.
Josa: Zgjodha këtë skuadër sepse ka synime të qarta
“Erdhi propozimi i drejtuesve të Vëllaznimit dhe gjetëm shumë shpejt gjuhën e përbashkët për ta vazhduar punën këtu. Skuadër që ka synime, që ka qëllime, skuadër që ka një tifozeri që e përkrah dhe e dashuron futbollin dhe për këtë arsye erdha këtu në Gjakovë. Për mendimin tim nuk është aventurë, është një punë e re që duhet bërë”, thotë fillimisht Josa.
Duke qenë se mori drejtimin e kuadrës në kohën kur afati kalimtar është i hapur, Josa zbulon se skuadra po i shqyrton dy-tre objektiva të rëndësishëm në merkato.
Josa: Kemi dy-tre objektiva në këtë afat kalimtar
“Ne duam sa më shumë lojtarë të gatshëm për t’i shërbyer skuadrës, do të shikojmë se çfarë do të bëjmë. Kanë qenë dy prurje të reja në skuadër, megjithatë do të shikojmë deri në fund, kemi dy-tre objektiva... do të shikojmë tregun vendas këtu dhe tregun në Maqedoni se çfarë do të bëhet”, bën të ditur Josa.
Objektivi i Vëllaznimit është inkuadrimi në Superligën e Kosovës, por Josa pranon se rivaliteti për këtë objektiv është jashtëzakonisht i madh në Ligën e Parë.
Josa: Më intereson vetëm niveli i skuadrës sime
“E para punës unë duhet ta studioj skuadrën time, duhet të shoh se çfarë duhet të bëjë skuadra ime ndërsa për skuadrat tjera janë probleme të tjera sepse edhe skuadrat tjera forcohen dhe duan që të kenë rivalitet kështu që mua më intereson se në çfarë niveli do të jetë skuadra ime deri kur të fillojë ndeshja e kampionatit”, thekson më tutje Josa.
Si një trajner që ka punuar edhe në disa skuadra shqiptare, Josa pranon se futbolli kosovar është më i avancuar se sa ai shqiptar.
Josa: Futbolli kosovar është më i avancuar se ai në Shqipëri
“Në Kosovë janë më përpara se ne, unë e shoh komplet për marrëdhëniet që futbollistët kanë me drejtuesit dhe deri tan i kam gjetur një ekip që është i shëndosh ekonomikisht sepse kur gjen një ekip i cili nuk ka detyrime karshi lojtarëve dhe stafit, atëherë mund të punosh më i qetë në vazhdimësi... Lojtarët e Kosovës nuk duhet të mendojnë për veten e tyre individualisht por duhet të mendojnë për formimin e një skuadre të fortë sepse skuadra është ajo që e evidenton futbollistin”, thotë Josa.
Në xhiron e 15-të Ligës së Parë, Vëllaznimi do të ballafaqohet me Rilindjen 1974, skuadër e cila renditet e shtata në tabelë.