Nga fishkëllimat në "Allianz Stadium" te ofendimet në rrjetet sociale, Juventusi po kalon një moment tepër delikat pas humbjes së dytë radhazi brenda pesë ditëve.
Pas disfatës 2-1 ndaj Napolit të drejtuar nga ish-trajneri Antonio Conte, bardhezinjtë u mposhtën edhe në Ligën e Kampionëve nga Benfica, duke shkaktuar një valë pakënaqësish.
Juventusi ka përfunduar në vendin e 20-të në renditjen e Champions League dhe tani do të duhet të luajë në playoff për një vend në 1/8-at e finales, me kundërshtar Milanin ose PSV Eindhoven..
Në rrjetet sociale, veçanërisht në "X", gjithnjë e më shumë tifozë po e fajësojnë Thiago Motta-n, të cilin e konsiderojnë një nga përgjegjësit kryesorë të performancës nën pritshmëri.
Me 13 barazime në kampionat, Juventusi është larguar nga kreu i tabelës, plot 16 pikë prapa Napolit.
Hashtagu #MottaOut është bërë një nga më të përdorurit, por kritikat nuk kursehen as ndaj drejtorit teknik, Cristiano Giuntoli, dhe presidentit të Exor, John Elkann.
Madje, disa tifozë kanë shkuar edhe më tej, duke kërkuar një rikthim të Massimiliano Allegrit për herë të tretë në stolin e Juventusit, me thirrjen për një të ashtuquajtur "Allegri tre".